Infokusi Image

Për një integrim të sekuencuar evropian - Në kërkim të ritmit të duhur për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian

Në dhjetor 2013, Shoqata e Bankave të Kosovës botoi numrin e katërt të revistës "The Kosovo Banker". The Kosovo Banker është botim i Shoqatës së Bankave të Kosovës e cila botohet dy herë në vit dhe ka për qëllim informimin e saktë të publikut lidhur me industrinë bankare në Kosovë.

Në mesin e kontribuesve me shkrime në këtë revistë ishte edhe Partneri ynë Menaxhues, Zt. Dastid Pallaska i cili në rubrikën Këndi i Ekspertëve publikoi shkrimin mbi temën "Për një integrim të sekuencuar evropian".

Shkrimin e plotë mund ta gjeni në këtë link ose në tekstin në vijim.

Për një integrim të sekuencuar evropian

Në diskursin publik kur flitet për faktin se Kosova nuk është anëtare e Bashkimit Evropian dhe është një vend me një ekonomi në zhvillim e sipër, ekskluzivisht përmenden anët negative të këtij konstatimi. Edhe pse aspekti negativ i kësaj gjendjeje nuk duhet të nënvlerësohet, është për t’u befasuar se pothuajse askush nga pjesëmarrësit e jetës publike në vend nuk i vënë në pah mundësitë që ofron kjo situatë në kuptim të zhvillimit të përshpejtuar ekonomik,
mundësi të cilat Kosova mund t’i përdorë si vlerë konkurruese karshi vendeve që janë para Kosovës në procesin e integrimit evropian.

Qasja sipërfaqësore e politikëbërësve të Kosovës ndaj procesit të integrimit në Bashkimin Evropian vërehet në faktin se përpjekjet e tyre që nga viti 1999 drejt këtij qëllimi janë të kufizuara në pjesën më të lehtë dhe më të parëndësishme të procesit të integrimit, në kopjimin dhe përkthimin literal të ligjeve të Bashkimit Evropian. Rrjedhimisht, sot në Kosovë kemi një numër të konsiderueshëm të ligjeve tejet të sofistikuara, të kopjuara nga Bashkimi Evropian, të cilat, për fatin e keq të qytetarëve dhe bizneseve të këtij vendi, jo vetëm që nuk kanë lehtësuar jetën e tyre, por prodhojnë kundërefekte që përkeqësojnë problemet në vend.

Trupi legjislativ i Bashkimit Evropian, i cili njihet më mirë si acquis communautaire, paraqet një trup ligjor që rregullon në mënyrë tejet të detajuar shumë fusha të jetës dhe veprimtarisë ekonomike. Për këtë arsye, acquis communautaire, për kah natyra e vet, paraqet një trup ligjor tejet ndërhyrës në ekonomi. Për më shumë, zbatimi
i drejtë i këtij legjislacioni në praktikë kërkon financim të konsiderueshëm. Në fakt, rregullimi tejet i detajuar ligjor i veprimtarisë ekonomike, ashtu siç parashihet me acquis communautaire, funksionon vetëm atëherë kur zbatimi i ligjeve shoqërohet me financim të konsiderueshëm dhe kur këto ligje vihen në jetë nga zyrtarë kompetentë dhe të ndershëm. Kjo do të thotë se nëse një trup ligjor i sofistikuar dhe i kushtueshëm, si acquis communautaire, zbatohet para kohe dhe në një mjedis ku nuk ekzistojnë kapacitete minimale për zbatimin e ligjeve të tilla të sofistikuara,
atëherë qytetarët dhe bizneset, si përfituesit e supozuar të këtyre ligjeve, do të përballen vetëm me kundër efektet që sjell ky legjislacion. Një qasje e tillë jopërgjegjëse e politikëbërësve ndaj integrimit në Bashkimin Evropian mbart në
vete edhe rrezikun e armiqësimit të shoqërisë kosovare ndaj idesë së Bashkimit Evropian, pasi që në sytë e qytetarëve dhe bizneseve të vendit ky sistem paraqet ngarkesa tejet ndërhyrëse ligjore, të cilat në duart e zyrtarëve jokompetentë transformohen në kufizime pa dobi.

Përkundër faktit se në shoqërinë tonë ekziston një konsensus i gjerë në lidhje me integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, udhëheqësit e vendit duket se nuk e kanë kuptuar drejt qëllimin politik të këtij bashkimi dhe se si ky sistem politik, ekonomik dhe ligjor mund të përdoret për t’i siguruar Kosovës një zhvillim të përshpejtuar ekonomik dhe mirëqenie shoqërore. Aktualisht, në diskursin publik Bashkimi Evropian paraqitet si një qëllim në vete dhe shoqëria vihet në lajthitje se me arritjen formale të anëtarësimit do të zgjidhen shumica e problemeve të vendit. Në aspektin ekonomik, një vështrim mbi historinë e zhvillimit të kompanive të mëdha në Evropë tregon se shumica e kompanive që kanë përfituar më së shumti nga Bashkimi Evropian janë krijuar dhe kanë forcuar bazën e tyre para hyrjes në një mjedis ligjor të qeverisur nga acquis communautaire. Me fjalë të tjera, këto kompani janë krijuar në një mjedis më pak të rregulluar ligjor dhe kanë pasur mundësi të përfitojnë nga faktise vendet në të cilat kanë vepruar kanë pasur më pak ngarkesa dhe kufizime ligjore. Duke krijuar një përparësi konkurruese në mjedise të tilla, më pak të rregulluara ligjore, këto kompani kanë lulëzuar në Bashkimin Evropian, i cili u ka ofruar atyre zgjerim të tregjeve, qarkullim të lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit dhe siguri juridike jashtë vendit amë.

Përfitimet që një vend i nxjerr gjatë procesit të integrimit dhe nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian varen kryesisht nga mënyra se si dhe me çfarë ritmi ka aplikuar ngarkesat dhe kufizimet ligjore të diktuara nga Bashkimi Evropian dhe si janë balancuar këto ngarkesa dhe kufizime me dobitë që ofron integrimi në Bashkimin Evropian. Ritmi i duhur, në këtë rast i sekuencuar, siguron jo vetëm arritjen e qëllimit formal të anëtarësimit, por garanton se anëtarësimi do të adresojë dhe do të zgjidhë problemet e shoqërisë dhe se pas anëtarësimit një vend do të mund të përfitojë nga dobitë që ofron Bashkimi Evropian. Thënë thjesht, përfitimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian nuk varen nga shpejtësia e arritjes së anëtarësimit formal në këtë komunitet, por nga gjendja në të cilën është një vend në kohën kur i bashkohet këtij sistemi politik, ekonomik dhe ligjor.

Shtrohet pyetja si mund të duket ky integrim i sekuencuar në Bashkimin Evropian? Kosova, sikurse të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, duhet të shfrytëzojë faktin se nuk është në Bashkimin Evropian, duke i ofruar ndërmarrësve në vend një mjedis për zhvillim të përshpejtuar me sa më pak ndërhyrje, ngarkesa dhe kufizime ligjore. Për më shumë, duke identifikuar kapacitetet vendëse konkurruese në ekonomi, Kosova duhet të shqyrtojë mundësinë të nxisë një zhvillim të përshpejtuar ekonomik, duke u ofruar ndërmarrësve të rinj një mjedis biznesor miqësor dhe stimulues. Këto veprime janë të domosdoshme për të krijuar një bazë ekonomike, e cila do t’u mundësonte ndërmarrësve vendës të përfitojnë nga dobitë që sjell Bashkimi Evropian si një treg i madh me lëvizje të lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit. Në të njëjtën kohë, Kosova duhet të përgatisë të gjitha ligjet që kërkohen nga Bashkimi Evropian, por të sigurohet se hyrja e tyre në fuqi do të ndodhë vetëm pak para anëtarësimit formal. Kjo qasje e sekuencuar ndaj integrimit evropian do të siguronte se Kosova do të krijonte hapësirë për krijimin dhe zhvillimin e kompanive konkurruese në Bashkimin Evropian, të cilat jo vetëm se do të mund të përballonin financiarisht rregullimin ligjor qëparashihet me acquis communautaire, por edhe do t’i gëzonin përftimet që sjell ky trup ligjor për zgjerimin e tregjeve të tyre në Evropë. Në anën tjetër, përgjatë kësaj kohe Kosova me ndihmën e Bashkimit Evropian duhet të përgatisë zyrtarëte vet publikë për të zbatuar dhe për të jetësuar dobitë dhe përfitimet që rrjedhin nga anëtarësiminë familjen evropiane dhe zbatimi i acquis communautaire. Për dallim prej modelit aktual, ku zyrtarët e pa trajnuar mësojnë praktikat e Bashkimit Evropian në kurrizin e qytetarëve dhe bizneseve, me integrimin e sekuencuar kjo përgatitje do të bëhej në një mjedis laboratorik, ku efektet negative të gabimeve të qëllimshme dhe të paqëllimshme të zyrtarëve nuk do të prodhonin pasoja negative për qytetarët dhe bizneset.

Përfundimisht, duhet të nënvizohet se edhe nëse Kosova arrin që formalisht të hyjë në Bashkimin Evropian vetëm për shkak të pozitës së vet gjeografike, atëherë dobitë dhe përfitimet që dalin nga anëtarësimi do të ishin minimale, pasi që, të marrim vetëm një shembull, rrugët e ndërtuara nga Bashkimi Evropian do të ishin njëkahore, përkatësisht nga Evropa për në Kosovë për mallrat dhe shërbimet evropiane dhe nga Kosova për në Evropë për kapitalin njerëzor të Kosovës. Si pasojë, Kosova do të mbetej një shoqëri konsumuese që në Bashkimin Evropian do të ketë rëndësinë e një tregu të vogël periferik.

Shënim për autorin: Autori është avokat dhe partner menaxhues në firmën ligjore “Pallaska&Associates L.L.C.” Pikëpamjet e prezantuara në këtë artikull janë personale.
© Autori i rezervon të gjitha të drejtat autoriale, përfshirë edhe publikimin e këtij artikulli në gazeta të tjera.

Amicus Curiae për Gjykatën Kushtetuese

Në shkurt të vitit 2013 Z. Dastid Pallaska ishte ftuar të japë një përmbledhje si amicus curiae në rastin KO Nr. ...

Presidentja e Republikës së Kosovës

Në vitin 2011 Partneri Menaxhues i firmës, Dastid Pallaska, ishte emëruar nga Presidentja e Republikës së Kosovës ...

Ndihma e fëmijëve me Sindromën Down

Në dhjetor të vitit 2012 ne ofruam një mbështetje modeste në Darkën Bamirëse të Odës Ekonomike Amerikane në Ko...

Dita e Avokatisë

Në vitin 2012 dhe 2013 firma jonë ofroi një kontribut modest në ngjarjen vjetore të Odës së Avokatëve të Kosov�...